(Vëzhgime mbi udhëheqjen nga fushata zgjedhore)
Duhet ta them, paraprakisht, se jam vëzhgues i situatës zgjedhora nga larg. Nuk kam ndjekur shumë fjalime, programe, ide. Lexoj pak tituj, shoh video të shkurtra përmbledhëse, dhe bisedoj me pak miq rreth situatës. Gjithashtu, dua ta them paraprakisht, se nuk jam i interesuar për asnjërën prej partive politike. Nuk të beson njeri në Shqipëri kur thua kështu, por më mirë ta them gjithsesi.
Me aq sa kam vëzhguar, dua të vë në dukje ca parime për udhëheqjen, që bien në sy në fushatë.
Udhëheqësit e pasfiduar nuk bëhen më të mirë
Udhëheqja, në parim, kërkon drejtimin e njerëzve drejt një të ardhmeje më të mirë, sidoqoftë që ta përkufizosh këtë të ardhme. Më duket, se udhëheqësit shqiptarë, kanë ndaluar ritmin drejt së ardhmes më të mirë. Dhe mendoj, se arsyeja kryesore, është mungesa e sfidimit. Unë nuk e di realitetin, por si vëzhgues nga larg, përçarja e pothuajse të gjitha kampeve, ju jep hapësirë disave të mos ndihen të sfiduar fare. Si rezultat, këta të fundit, nuk kanë asnjë shtysë, të ndyrshojnë përqasjen. Iu mjaftojnë arritjet e deritanishme, për të kërkuar miratimin e votuesve.
Ndaj dhe fushata, ka shumë pak ide për zhvillim. Ka kritika, ka sulme, ka agresivitet, ka zhurmë, ka tallava, muzikë të të gjitha llojeve, por s’ka ide të qënësishme që e çojnë Shqipërinë përpara.
Udhëheqësit kanë prirjen të bien në rehati. Prandaj sfida ndaj udhëheqjes duhet të jetë e pranishme. Dhe në rastin më të mirë, e mirëpritur.
Karakteri i udhëheqësit bie në sy në fushatë por ndërtohet gjatë gjithë jetës
Kur fillon fushata, është shumë vonë për të ndërtuar karakter. Kam vënë re mundimin qesharak të disa kandidatëve për të ndërtuar “karakter” mediatik, sapo fillon fushata. Një miku im thotë: “më shumë kam folur unë për realitetin problematik në qytetin tim, që s’merrem me politikë fare, sesa kandidati filan, i cili ka filluar të flasë, sapo filloi fushata.” Megjithëse duhet sikur njerëzit s’vënë re, krejt e kundërta është e vërtetë: njerëzit e vënë re, prirjen për pushtet, pa paguar asnjë lloj kostoje. Dhe, aq më tepër, e vënë re këtë mungesë karakteri, në mjedisin skeptik ndaj politikës shqiptare, e cila shquhet për propagandë pa themel.
Sygjerimi më i mirë, mendoj, do të ishte të fillosh të jetosh një jetë me integritet tani, që në kohën e duhur, kur të duhet të kandidosh, të kesh ndërtuar një karakter të pëlqyeshëm. Atëherë, nuk do të kesh nevojë për mbështetje mediatike kaq patetike e kaq pa vend. Nuk ndërtohet një imazh i mirë familjar në 2 muaj fushatë.
Heshtja (mungesa e kritikës) sygjeron servilizëm
Andi Stanley, një pastor dhe autor amerikan, një folës i rregullt i temës së udhëheqësisë, thotë:
“Udhëheqësit që refuzojnë të dëgjojnë, do të rrethohen nga njerëz që s’kanë asgjë për të thënë.”
Dhe nuk ka vend më të mirë për ta dalluar vërtetësinë e kësaj shprehje, sesa në ambientin shqiptar. Nëse ke pushtet mbi njerëzit – i kritikon, ke të drejtën t’i heqësh nga puna kur të duash, iu mbyll derën, nuk mirëpret kritikën prej tyre – i trajton të tjerët si më të ulët, me më pak ide, më pak mendime, më pak cilësi, më pak udhëheqës se ti. Dhe, iu kërkon miratimin pa asnjë kusht.
Gradualisht, shkon në pikën që s’ke më drejtues rreth vetes. Nuk ke më as ndjekës. Ke thjesht servilë. Të cilët ngrihen në valle bashkë me ty, por me zemër, të kanë mallkuar ditë e natë, që i trajton si njerëz të pavlerë.
Atëherë, kur ke heshtje rreth e rrotull, nuk je më udhëheqës. Je burokrat! Dhe burokracia, nga përkufizimi, i ka ditët e numëruara. Dhe gjithashtu, nga përkufizimi, mund të rrish në atë karrike për shumë kohë, por rënia do të jetë dramatike. Dhe e beftë.
Këto parime rreth udhëheqësisë, nuk janë vetëm për politikën. Por në politikë, bëhen ilustrime të vëzhgueshme për të gjithë. Prandaj i mbaj shënim.