Të gjithë në Big Brother

Kësaj jave jam në Europë në një udhëtim.

Qyteti Krakov në Poloni, nga popullsia, i përngjan Tiranës. Por, si shumë qytete europiane, ka ca lagje, me ndërtesa të vjetra, disa të ndërtuara prej qindra vitesh, me një hije të rëndë, që i gjen vetëm në këto qytetet me arkitekturë të ruajtur mirë që nga mesjeta, e madje, dhe më herët, e kështu nuk duket fare njësoj si Tirana.

A flasin muret?

Sa herë që jam rrugëve të këtyre qyteteve, vras mendjen, për domethënien e tyre mbi kulturën e njerëzve.

E sigurisht, natyrshëm, vras mendjen, mbi realitetin shqiptar. Kam gjithmonë një sy për të krahasuar jetën në këto dy realitete.

E për të kujtuar Shqipërinë, iu hedh një sy lajmeve mbi atdheun. Si merr informacion për Shqipërinë kur je jashtë?

Unë flas me familjen. Dhe përveç halleve të zakonshme – punë, transport kalamajsh për në shkollë, gatim, punë, pushim, detyra shtëpie, aktivitete jashtë shkollës – nuk dëgjoj shumë prej tyre për gjëra të tjera që po ndodhin përtej halleve të familjes. Kush ka kohë, kur kujdeset për fëmijët, të shohë se çfarë po ndodh në Tiranë?

Pasqyra mediatike e realitetit

Burimi tjetër është media. Kështu, iu hedh një sy lajmeve rreth Shqipërisë.

Një vrasje. Autorë që kërkohen. Politikë me gishtin e mesit. Reagime ndaj posterave. Pemë që mbillen. Korrupsion me pemët. Politikanë që kërcejnë në mitingje. Kështu hallet e popullit zgjidhen.

Dhe kryelajmi: Sherr. Kiara, Luizi, Zhaku. Arbëri. Efi. (Meqë ra fjala, kush dreqin është Efi?)

A duhet të ndihem keq që nuk njoh VIP-at e Shqipërisë?!

Lajmet më të rëndësishme nga media shqiptare, vjen prej një realiteti të modifikuar. Me gjasë, ka shqiptarë, jeta e të cilëve nuk ndikohet fare prej këtyre yjeve të ekranit. Të paktën jeta ime nuk është.

Nuk është ashtu si duket. Nuk janë VIP-a. Njerëz të rëndësishëm.

Janë heronjtë e përkohshëm të një brezi budallenjsh e një brezi të shfokusuarish.

Nuk është media që i lartëson njerëzit. Është përkushtimi i zemrës për përkohshmërinë, që i nxjerr në pah këta yje kalimtarë.

Nuk duam të mendojmë për përjetësinë, sepse nuk na e rrok mendja. E kur s’ke ndërtesa të vjetra – ose artifakte që të sjellin të gjallë një kohë tjetër, përtej nesh, – duket sikur bëhet më e lehtë, që të fokusohesh të vlera kalimtare.

Me siguri, këtu e ka themelin dhe prirja për të shkatërruar gjërat e vjetra. Durrësi, përveç shkatërrimeve të natyrshme të kohës, thonë që ka mbuluar – ndoshta me qëllim – dhe kujtime të së kaluarës të cilat mund të ishin ruajtur. Hapësira të vjetra arkeologjike, iu ngjajnë vendeve të shkretuara e të pazota në Shqipëri, kurse këtu, bëhen vende ku kalojnë kohën mijëra turistë. Sheshet janë të mbushura me vizitorë, sepse ndërtesat, kanë shumë histori të hapur për të treguar. Ne i kemi shembur ndërtesat e vjetra.

Të rejat, s’kanë parë akoma histori për të treguar, përveç shkëlqimit të përkohshëm të këtyre yjeve që i frekuentojnë për ndonjë pije a për ndonjë foto për Instagram.

Duket sikur nuk ia vlen të mendosh për përjetësinë. Prandaj nuk lexon, nuk mendon, nuk prodhon, nuk ofron ide. Vetëm konsumon kotësinë. Dhe ndez televizorin.

Pastaj e lë median, sepse kam miq për të takuar. Mikesha nga Ukraina flet për luftën. Miqtë nga Polonia po ashtu për luftën. Se e kanë te dera e shtëpisë. Shpenzimet për ushtritë janë shtuar gjithandej.

A thua, po t’i kishim këto ndërtesa hijerënda, si këta, do të dukej ndryshe kultura shqiptare?

Nuk më shkon mendja të them, se po të ishim si këta, me këto qytete të vjetra të strukturuara mirë, nuk do të kishim luftë. A konflikte. Por, më shkon mendja, se do të kishim një hapësirë, për disa, që ta ndiqnin urinë e zemrës për kuptim. E për pak më shumë dije.

Që më kujton, gjithsesi, se, edhe në hapësirën kulturore mjerane shqiptare, ka akoma vend, që ta shqyrtosh me vëmendje thirrjen e zemrës tënde për kuptim. Nuk kemi shumë nxitje ndoshta. Por, zemrën e kemi me vete. Dhe nuk është vonë t’ia fillojmë kërkimit për domethënie.

Kur yjet të jenë shuar

Në fund, kur të kenë ardhur sfidat, asnjë yll i modifikuar, nuk do të mund të të ndihmojë. Gjeneralët mediatikë, të cilëve ju jep zë e figurë tani me shumicë, në betejë do të tradhëtojnë të parët. Sepse ata që tani, në paqe, jetojnë për përkohshmërinë. Imagjino në kohë të vështira. Në luftë, e në vështirësi, duhen bindje që shkojnë përtej përkohshmërisë së egoizmit tënd, për të qëndruar e për t’ju dhënë një dorë nevojtarëve.

Njerëzit që iu qëndrojnë sfidave janë ata që kanë bindje të së mirës, përtej vetes së tyre.

Këta yje të modifikuar, vetëm dinë të kërcejnë nëpër varre, kur kanë liri të shpërdoruar! Por atëherë, është shumë vonë. Nuk kthehen dot më mbrapsht.

Kurse ti, mund ta fillosh shqyrtimin e zemrës përpara se të jetë shumë vonë.

Seriozisht tani, who the hell is Efi?!

2025 All right reserverd © Jashtë Kornize

Design by Gremza