Katër hapa për të tejkaluar injorancën

Paralajmërim: Disa do ta lexojnë këtë material dhe do të dallojnë ironi. Ose pak sarkazëm. Si rrjedhojë, nuk do t’i marrin seriozisht këto sygjerime. Por, ironia dhe sarkazma, janë mjete letrare për të komunikuar të vërteta thelbësore. Prandaj, mos i neglizhoni mjetet letrare. Në parim e kam fjalën.

Le të fillojmë. A doni ta tejkaloni injorancën? Po ndaloj prapë. Nëse nuk doni që ta tejkaloni – me fjalë të tjera, jeni rehat në injorancën tuaj, ose thjesht mendoni se gjithçka që mendoni e bëni ju është urtësi e kulluar e si rezulat s’keni pse të tejkaloni asnjë gjë – sygjerimet e mëposhtme, nuk vlejnë.

Nuk është se është shpikur ndonjë metodë, që këto sygjerime ti pini me ujë bashkë me ndonjë vitaminë që merrni gjatë javës, e kësisoj, injoranca të largohet pa e vënë re, siç largohet gripi. Nuk bën asnjë efekt të lexoni e të mos doni të ndryshoni veten.

Nëse doni që të ndryshoni pak, qoftë edhe fare pak, vazhdoni leximin për ca sygjerime modeste.

1. Lexoni.

E di, e di. Sygjerim shumë i zakonshëm. Duket sikur i ka dalë boja. Plus, kur ndonjë VIP, ju thotë, se fiton shumë para, pavarësisht se nuk ka lexuar ndonjë libër që kur mbaroi festën e Abetares, dekurajoheni, dhe s’keni dëshirë të lexoni fare. E kuptoj. Problem i madh. Por, të gjitha këto justifikime për të mos lexuar – me një fjalë, mos lexoni se nuk fitoni gjë, mos lexoni se ju dalin sytë, mos lexoni se ju dalin mendtë, mos lexoni se ju i dini të gjitha, mos lexoni se 12 vite shkollë nuk janë pak, e të tjera këshilla si këto – të gjitha këto sygjerime, nëse i besoni dhe ju, janë shenja se ju e doni injorancën, në mos më shumë, të paktën po aq sa të tjerët. Nuk është se ka shumë konkurse ose renditje se kush e do më shumë paditurinë, por, po të kishte, këto do të ishin ca nga sloganet bazë.

Prandaj, leximi, thjesht se duhet të lexoni, pa hequr dorë nga këto pengesa themelore, nuk ndihmon.

Prandaj lexoni. Më qartë, duhet thënë, se e kemi fjalën për lexime që të ndryshojnë mendimet. Ndoshta t’i pasurojnë, ndoshta t’i korrigjojnë, ndoshta t’i qortojnë disa bindje. Por, lexim, pa ndryshuar diçka, nuk ka kuptim.

Nuk ka problem nëse lexon një status në Facebook a një libër të plotë. Mjafton që leximet të të pasurojnë jetën. Dhe ju mjafton të keni një lloj përleshje intelektuale mendimesh në kokën tuaj, dhe quhet që keni lexuar.

2. Lexoni me kontekst.

Duket si shtesë e panevojshme. Por ka shumë rëndësi. Nëse lexoni një shprehje të mençur, mos e përhapi menjëherë, sikur ç’ke lexuar. Kërkoni për pak kontekst. Ndoshta jeni përkrahës i dëshpëruar i Marksit dhe thënia që sapo lexuat e ka origjinën nga një kundërshtar i Marksit. Kënga “Haleluja” nga Leonard Cohen, nuk këndohet në kohën e adhurimit nga besimtarët ungjillorë. Një shprehje që lavdëron dikë, po të lexohet në kontekst, dallohet se ky dikushi, po kritikohet, po shahet. Konteksti ju ndihmon që të mos dukeni i paditur.

Prandaj, leximi i dy tre rrjeshtave më shumë, qoftë dhe në Facebook, ju ndihmon ta tejkaloni pak injorancën.

Shumica e argumenteve të njerëzve publikë, në vëzhgimin tim, duken krejt injorantë, sepse, nuk lexojnë fare. Por dhe kur lexojnë, lexojnë pa kontekst. Si rezultat, opinionet e tyre s’kanë fare rëndësi. Nuk ndryshojnë asnjë gjë nga realiteti i tyre, e aq më pak, nga realiteti ynë. Prandaj, lexoni pak më shumë për kontekst. Dhe do të bëni hapa përpara drejt diturisë.

3. Kërkoni një mendim shtesë.

Ky sygjerim ka shumë rëndësi, sidomos në dy raste: kur s’doni të lexoni asnjë gjë dhe kur keni një mendim të fortë për një temë, një mendim, që ndiheni se nuk e ka pasur asnjë njeri përpara jush, që nga fillimit të botës, cilido qoftë lloji i fillimit që preferoni.

Konsultoji mendimet tuaja me dikë tjetër.

Përpara se të flasni me zë të lartë, një person tjetër, mund t’ju ndihmojë të mësoni diçka më shumë. Dhe ju shpëton nga shumë telashe.

4. Mos i besoni gjithmonë gjykimit tuaj.

Kujt ia drejtoj më shumë këtë sygjerim? Këtë sygjerim iua drejtoj më shumë, disave, që mendojnë se vetëm ata janë të zgjuar, vetëm ata dinë gjithçka, vetëm ata kanë qenë nëpër shkolla, vetëm ata i kanë mendimet e sistemuara… Kriteri për të dalluar këtë soj është retorika e tyre, që e thekson shumë shpesh, se ata janë të pagabueshëm.

“A i ke dëgjuar mendimet e mia? Vetëm unë e di këtë… Unë e kam menduar këtë… Unë studiova aty… Jua sqaroj unë këtë…”

Këto janë disa gjëra që dëgjoni prej tyre. Dallohen qartë. Por dëmi i madh në këto raste, është se ata, nuk e dallojnë këtë prirje. Sepse ia kanë mbushur mendjen vetes se ata nuk e kanë këtë problem. Prandaj, është një lloj i veçantë injorance, sepse nuk dallohet lehtë prej injorantëve vetë.

Zgjidhja? Nëse e lexoni këtë, pavarësisht se si e shikoni veten, mendoni: “Më mirë të mos i besoj gjykimit tim!”

Shtojeni si aksiomë, idenë se dhe ju, jeni i gabueshëm, se nuk dini gjithçka, se ka fusha ku duhet të pranoni se nuk jeni i ditur; se herë pas here, si ndoshta një herë në muaj, duhet t’i thoni dikujt “më fal, e kisha gabim!” dhe ndoshta një herë në vit, duhet ti thuash dikujt “nuk e di” kur ju pyesin për diçka që nuk e keni përtypur vërtet.

Po i zbatuat këto katër sygjerime, keni një mundësi ta tejkaloni pak injorancën. Dhe, sapo të jetoni kështu për një farë kohe, sa t’ju bëhen zakon, atëherë, do të keni mundësi të jeni më i kënaqur me veten, do të lexoni rehat, do ta ushqeni trurin, mund të flini më rehat, mund t’ju brejë ndërgjegja më pak.

Do ta vini re, pas kësaj, se do ta shtoni dozën e gjykimit ndaj injorancës që ju rrethon.

Mos u mërzisni! Asgjë nuk ka ndryshuar. Injoranca është në të njëjtat nivele. Ndryshimi i madh është se keni dalë nga rradhët e tyre, dhe tani shikoni pak më qartë.

2025 All right reserverd © Jashtë Kornize

Design by Gremza