Ky vendi ynë i lodhshëm i shtrydh deri në mërzi të gjitha debatet, e disa, akoma pa filluar tamam. Dhe mërzia, për të cilën dua të shkruaj pak, vjen prej paditurisë. Mërzia akademike – ku duhet të lexosh përkufizime të gjata, e shpjegime deri-diku të lodhshme rreth termave që kemi vendosur në titull, – nuk na prek ne shumë. Sepse akademikët nuk rreken të shkruajnë shpesh për këto terma për publikun e gjerë. Përse të shkruajnë kur ne s’lexojmë?
Kështu, mërzia jonë, është pjellë e një lloj budallallëku modern, ku secili flet (e shikoni, dhe unë po flas!) e pothuajse askush nuk dëgjon!
Ja, ta shpjegojmë se përse bëmë këtë hyrje, pak a shumë shkurajuese!
Dje, do kenë filluar të dalin në terren, rregjistruesit e Censusit 2023. Dhe akoma pa e filluar punën ata, fillon helmimi i atmosferës. Njëri, që është biznesmen, shpreh pakënaqësinë e tij, që një fe, që nuk e njeh ai, është listuar. Një biznesmen ka pakënaqësi me realitetin fetar të Shqipërisë. Një gazetar, nuk është i kënaqur, me pyetjet rreth identitetit kombëtar. Ai ka merak, se mos shqiptarët do të deklarohen grekë, e grekët shqiptarë. Një fetar, shpreh pakënaqësinë, që pyetjet e Censusit – thjesht fakti që do të pyetet për ta emërtuar – e nxisin të shprehë gabim identitetin e tij të vërtetë fetar. Meraku shprehet fort, pavarësisht se censusi në lidhje me këto pyetje nuk është i detyrueshëm. Të tjerët – deri tani – thjesht kanë reaguar ndaj këtyre që listova më sipër.
Dhe me siguri, debatet do të vazhdojnë.
Tani, po unë, çfarë meraku kam?
Nuk kam asnjë merak. Desha të shkruaj shkurt, arsyet se përse bëhet Censusi.
Arsyeja kryesore, është për të “fotografuar” gjendjen reale të shtetit shqiptar – sa njerëz banojnë brenda territorit të Shqipërisë, cila është gjendja e tyre ekonomike, cili është realiteti ku jetojmë, cili është përfaqësimi i identitetit kombëtar dhe fetar. Ndoshta ka dhe qëllime të tjera, por këto mu dukën më thelbësore.
(Referimet: https://www.instat.gov.al/al/cens-2023/rreth-cens/%C3%A7far%C3%AB-%C3%ABsht%C3%AB-censi/
https://www.instat.gov.al/al/cens-2023/rreth-cens/p%C3%ABrse-na-nevojitet-censi)
Në bazë të këtij fotografimi, duhet të ndërtojmë politika, të cilat i përqasen këtij realiteti.
Nëse numri i shqiptarëve që s’kanë ikur akoma del shumë i ulët, duhet të flasim, me politika konkrete rreth këtij realiteti. Nëse del një kombësi tjetër në rritje, duhet analizuar se përse kemi këto ndryshime.
Nëse dalin shumë ateistë, jo fetarë, agnostikë a ndonjë grup tjetër të painteresuarish për fenë, nuk duhet të çuditemi, se po t’i numërojmë me rradhë shqiptarët që njohim, ashtu do të dalin shumica.
Nëse dalin pak a shumë besimtarë të besimeve tradicionale shqiptare, drejtuesit e këtyre institucioneve, duhet të ulen e të diskutojnë arsyet.
Nga ana ime, si besimtar i grupimit të gjerë protestant, mund ta them sygjerimin më specifikisht: nëse dalim shumë protestantë, duhet të gëzohemi. Si fillim, të gëzohemi. Pastaj, të vajtojmë, se përse kaq shumë protestantë, nuk e kanë ndryshuar dot kulturën shqiptare, duke i jetuar vlerat e Krishtit në atë mënyrë, sa më shumë të tjerë të kishin vendosur ta ndiqnin Krishtin. E kështu, duhet filluar vajtimi. Nëse dalim pak protestantë, duhet të gëzohemi që janë ata që janë, dhe pastaj t’ia fillojmë vajtimit, që s’kemi mundur të komunikojmë vlerat tona më gjerë. Nëse nuk na njohin, është keq. Nëse na njohin, e s’duan të identifikohen me ne publikisht, është më keq.
Gjithsesi, unë i imagjinoj protestantët, duke pritur rezultatin, e pastaj, duke u ulur, me qetësi, në pritje të mendimeve e sygjerimeve nga Perëndia vetë, se si ta ndryshojmë këtë realitet.
Nëse ky debat, nuk përkthehet në ndonjë lloj veprimi, për ta ndryshuar gjendjen, atëherë, do të dëgjojmë fjalë boshe, dhe mërzia do të thellohet.
E prisni, kur të fillojnë basaletat në rrjetet sociale, që fillojnë kështu:
“Ishte një shqiptar musliman, një shqiptar musliman-bektashi, një shqiptar-ortodoks, një shqiptar-katolik, një shqiptar protestant, një musliman, një bektashi, një ortodoks, një katolik, një ungjillor-protestant, një ungjillor vetëm, një baptist, një pentakostal, një karizmatik, një ateist, një pagan… dhe përpara se të numëroheshin, asnjëri nuk binte dakord që të quhej ashtu siç e quanin në pyetësor…!”