Egoizmi që refuzon Ermonela Jahon

Prej dy ditësh, po bën bujë një deklaratë e sopranos Ermonela Jaho, rreth refuzimit, sipas saj, i pjesëmarrjes së studentëve të Akademisë së Arteve në Shqipërinë, në kursin e saj tre ditor . Ia vlen një vështrim i deklaratave të saj dhe i rrënjëve të këtij fenomeni, jo për të shpjeguar interesin për artin në Shqipëri, por për të vënë në dukje një pamje të rrënjëve kulturore shqiptare.

Pak interes për një artiste me famë botërore?

Më bëri përshtypje dhe mua numri i vogël i pjesëmarrësve. Nuk e njoh fushën, por në një vend të vogël, me pak mundësi, të marrin pjesë aq pak studentë, kur kanë rastin të takohen me një personalitet botëror, lë një shije jo fort të mirë.

Prandaj, ka diçka që duhet theksuar në fenomenin e vënë në dukje nga artistja vetë.

Lexoni tekstin e deklaratës së saj dhe shikoni videon.

“Po e mbaj e po e mbaj por po e them troç fare: unë kam ardhur këtu dhe nuk kam pas asnjë pedagog nga Akademia. Kam ardhur këtu dhe nuk kam parë studentë të regjistrohen. Nuk po them se po sjell diçka të jashtëzakonshme, apo dua të luftoj dikë këtu. Edhe këta studentëve që kanë ardhur, këta këngëtarë të rinj, kanë ardhur nga jashtë. Jam aq e ngarkuar dhe prandaj kam kaq shumë për të thënë. Mendoj që ky është një lloj egoizmi ndoshta, unë këtë e kam provuar para 30 vitesh, por më duket se është akoma edhe sot. Një pedagog nuk të jep dot 100%. Studentët ndoshta mungojnë se nuk i lënë pedagogët.”

Ermonela Jaho.

https://www.instagram.com/p/CrKr4k1oEjb/

Për çfarë egoizmi e ka fjalën Jaho?

Ajo duket se e ka përjetuar këtë lloj egoizmi rreth tridhjetë vite më përpara. Dhe, një aspekt i lajmit, sipas këndvështrimit tim, është ideja, se asgjë nuk ka ndryshuar në këto tridhjetë vite.

Ky besoj, është egoizmi që përjetojmë të gjithë: ne kemi një mani të dukshme, për të qenë vetë të parët në çdo gjë.

Rrojmë me një mentalitet, i cili ka hapësirë lulëzimi vetëm për një person – veten tonë. Kushdo që ngre krye, jo thjesht lihet në harresë, por shumë më tepër se kaq, një aparat i tërë egoistësh dhe interesaxhinj i turren kundër, si turmë në mbështetje të udhëheqësit të rastit (në këtë rast, përkufizimi i fjalës “udhëheqës” do të ishte “ai që gjendet në karrike dhe që s’kemi interes ta rrëzojmë deri sa të bjerë vetë e pastaj ta marrim ne ndjekësit karriken e të bëhemi si ai, me një turmë që na ndjek nga prapa), – një turmë e verbër që ka synim shkatërrimin e gjithçkaje që je.

Ermonela Jaho, si duket, e ka tejkaluar këtë lloj batardie kulturore egoizmi, duke u larguar nga Shqipëria. Dhe prej tridhjetë vitesh, nga larg, ka shpresuar se gjërat kanë ndryshuar këtej nga anët tona.

Këtu, të famshëm nuk janë të zotët, të famshëm janë ata që manipulojnë audienca dhe xhonglojnë interesa. Dhe, disa thonë që ky fenomen e ka zanafillën në politikën e këtyre tridhjetë viteve. Unë kam vëzhguar se kjo kulturë banale egoizmi, është kodra e plehut ku ushqehet e vihet në dukje gjel-politika e këtyre tridhjetë viteve.

Po të jesh i vëmendshëm e has kudo: Ti shkollohesh, të tjerët mërziten që je shkolluar, pastaj mërziten se përse nuk janë të shkolluar dhe ata; pastaj ata shkollohen aty ku je shkolluar dhe ti, por për arsye të paqarta, ata do të dalin që janë të shkolluar më shumë se ti.

Ty të fton dikush diku, ata mërziten se përse miqtë e tyre nuk i ftojnë askund. Ti blen një shtëpi, ata qajnë se janë vetë rrugëve dhe pa të ardhura – megjithëse ndoshta kanë të ardhura më shumë se ti. Ti shkruan e botohesh, shkrimet e tua s’kanë vlerë, po aq sa shkrimet e tyre, ti fillon të flasësh për një hall që ke, e mbarojnë fjalinë duke qarë hallet e tyre.

Sipas këtij mentaliteti, ka vend vetëm për një njeri të ushqehet në tryezë… E megjithëse një njeri do të tejngopet nga një tryezë plot me ushqim për tre milion veta, ai prapë se prapë, do që të hajë i vetëm…

Një mentalitet mbijetese, që s’përkon fare me realitetin e burimeve të mjaftueshme për të gjithë, nëse zgjedhim të fokusohemi në talentet dhe aftësitë që na i ka dhënë Zoti gjithsecilit.

Kush përfiton nga ky lloj egoizmi?

Askush. Përveç sedrës së sëmurë të shumë shqiptarëve që nuk e tejkalojnë dot këtë flamë…

Kur u ndërtua pallati përbri pallatit tim, banorët e rinj, nuk u ankuan se na kishin zënë dritën neve. Tani, dëgjoj, se banorët e pallatit përbri, që na kanë zënë ne dritën e diellit, ankohen se pallati që po ndërtohet më lart, po ju zë atyre dritën e diellit.

Ky mentalitet, nuk ndihmon askënd. As ata që anashkalohen nëpër klasat e tyre të këndimit, e as ata që, iu bëjnë presion të tjerëve që të mos marrin pjesë.

Derisa ta kemi dalluar këtë zinxhir reagimi, shqiptarët më të famshëm e më të zotë, do të jenë ata që jetojnë larg këtij vendi!

2025 All right reserverd © Jashtë Kornize

Design by Gremza