Deri kur?

Fjalët nuk mjaftojnë, e megjithatë, ca fjalë duhen thënë.

Më duket se gjithçka thuhet zakonisht në këto raste, është thënë.

Drejtësia duhet të veprojë. Gjykatësit duhet të dënojnë më ashpër. Kanuni, sipas disave, e ligji sipas të tjerëve duhet të merret parasysh. Njerëzit duhet të ndërgjegjësohen. Gratë nuk duhen vrarë më.

Si vriten njerëzit kaq lehtë?

Dhe cikli është shumë i ngjashëm: Një veprim i dënueshëm, gjykim i shkurtuar, dalje nga burgu, askush nuk kujdeset ta ndjekë historinë pas daljes nga burgu, armët sikur gjenden në dyqanin e lagjes, krimi kryhet me gjakftohtësi të llahtarshme, lajmet përsëriten deri në detaje të tmerrshme për familjarët e përfshirë, a thua se privacia e tyre, nuk i duhet më njeriu, turma e moralistëve fillon të japë mend ndër studio televizive, a thua se ata janë standardi i moralit, pavarësisht se ditë natë nderojnë vetveten, me foto profili e rroga të  majme, e shkelin me këmbë këdo që ju del përpara, pastaj vijnë thirrjet për dënime me vrasje e zhdukje, duke dashur të na kthejnë në ligjet e Arabisë Saudite. Disa, nuk harrojnë të theksojnë se ata kanë mendimet e tyre më të qarta në këto histori, e postojnë një mori këshillash, bashkangjitur fotos së tyre të kuruar në detaje, nga shfaqje e fundit mediatike ku kanë marrë pjesë.

E pastaj, harrohet historia. Asnjë gjë nuk ndryshon. Shtetarët zihen për spiunlliqe, pastrueset vazhdojnë pastrimet, zyrtarët vazhdojnë të bëjnë minimumin e punës, për të mbajtur vendin e punës, policia vazhdon kërkimet në drejtime të paditura, faqet në rrjetet sociale me shumë ndjekës vazhdojnë thirrjet e tyre populiste, për pak LIKE e Pëlqime më shumë, studiot televizive e ndryshojnë temën e bisedës (me siguri ka ndodhur diçka më tragjike pas dy ditësh!).

Mortja në ato shtëpi, bie dy herë; një herë nga tragjedia e njëherë tjetër nga harresa.

Unë nuk kam zgjidhje. Kam një britmë nga zemra, që s’ma dëgjon askush.

Nuk e dimë se si zgjidhet ky ngërç. Nuk e dimë, se si të vazhdojnë të jetojmë me njëri-tjetrin, e të debatojmë pa vrarë; të biem dakord që s’duhet të biem dakord, e të mos i kthejmë kurrizin njëri-tjetrit, vetëm se kemi frikë se mos na zënë vendin.

Kur në fakt, në frikën e pashëndetshme që kemi, duke dashur të ruajmë jetën tonë, më shumë se jetën e të tjerëve, po i shuajmë dhe shpresat tona bashkë me jetën e të gjithëve. Është vetëm çështje rradhe, e çështje ditësh.

Për të jetuar, na duhet të gjejmë një të përbashkët. Duhet të jetojmë bashkë me ata që na duan, ata që s’na duan, ata që rrinë me ne, ata që na braktisin kur s’ju leverdisim më. Na duhet një zgjidhje që na lejon të gjithëve të jetojmë së bashku. A mund të biem dakord që do të debatojmë por s’do të ngremë dorë kundër njëri-tjetrit?

Që nuk do të vrasim më? Që nuk do të bërtasim më rrugëve? Që nuk do të zihemi? Që kur zihen të tjerët, ne do të ofrojmë një fjalë paqeje, e jo telefona për të filmuar ngjarjen që të kemi shikime në rrjetet sociale? Si mund të jetojmë së bashku?

Unë kam pak shpresë. Kam më shumë dhimbje.

Jemi të zënë me zënien e kolltuqeve të rehatshme. Me diskutime akademike. Me lëvdata personale. Me interesa personale. E kemi të gjithë mendjen – duke përfshirë dhe të ashtuquajturit shërbëtorë të popullit të të gjitha llojeve – te ngritja e vetes në piedestale.

E përkundrejt kësaj, na duhet një lloj të jetuari që nuk i kërkon të gjitha për vete.

Një jetë që i dorëzon të gjitha burimet që ka për të sjellë paqe mes njerëzve.

Një vizion për jetën, që thekson, se të gjithë fitojmë, kur të gjithë vendosim tjetrin përpara vetes. Modeli shqiptar është se të gjithë fitojmë kur ngulim këmbë për të fituar për vete. Na duhet një vizion tjetër për jetën. Përndryshe…

E shumë prej nesh, do ta kërkojmë zgjidhjen prapë te të tjerët.

Me siguri, më shumë faj, kanë ata që e harrojnë ngjarjen shpejt e janë më të shqetësuar për fatet e banorëve të Big Brother!

2025 All right reserverd © Jashtë Kornize

Design by Gremza